Postuar
më 6 Gusht 2009 në kategoritë Futboll.
You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0 feed.
You can leave a response, or trackback from your own site.
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe, bëri publike listën e 20-të lojtarëve të thirrur për ndeshjen miqësore kundër Qipros (12.08.2008, ora 19:00 në “Qemal Stafa”), e dyta nën drejtimin e kroatit pas asaj me Gjeorgjinë (10.06.2009) të përfunduar në barazim 1-1 (gol i Agollit për Shqipërinë). Tre mungesa “surprizë” (Kapllani, Berisha e Bylykbashi) dhe një “fytyrë e re” befasuese (Franc Veliu), kjo është risia e Kuzhes në listën e tij.
VETERANËT
Lorik Cana do të mbërrijë në Shqipëri për herë të parë pas transferimit të tij te Sandërlendi në Premier Ligën angleze. Në ndeshjen e fundit me Kombëtaren, atë kundër Portugalisë, ish-kapiteni i Olimpikut të Marsejës, bëri një paraqitje të jashtëzakonshme, ndërkohë që e ndoqi nga tribuna “VIP” ndeshjen kundër Gjeorgjisë.
Edhe pse ende pa ekip, edhe Ervin Skela është në listën e të mëdhenjve të Kombëtares së Shqipërisë, ashtu si Klodian Duro, i porsatransferuar te Apollon Limasol në Qipro. Veterani Erjon Bogdani është në vijën e parë me Hamdi Salihin.
Isli Hidi, Ervin Bulku e Ansi Agolli, “treshja e muskutjerëve” të Krivbasit i japin bukuri listës, ndërkohë që “dyshja e hekurt” e Vorsklës, Debatik Curri e Armend Dallku, forcë e ritëm. Në repartin e mbrojtjes, prania e Kristi Vangjelit (Aris Selanik), Elvin Beqirit (Vllaznia) e Andi Lilës (Tirana) është thjesht një formalitet tradicional.
DEBUTUESIT
Mbrojtësi i Flamurtarit, Franc Veliu, do të jetë edhe fytyra e re e Kombëtares anti-Qipro. Vlonjati, për të cilin përflitet se së shpejti do të testohet me Sëlltikun në Skoci, e ka merituar një vend midis 20 lojtarëve të thirrur për shkak të performancës së tij.
Mesfushori durrsak Emiljano Vila, i huazuar nga Dinamo e Zagrebit, te ekipi satelit i kampionëve të Kroacisë, Lokomotiva Zagreb, rikonfirmoi vendin e tij, pas debutimit thuajse perfekt në ndeshjen kundër Gjeorgjisë.
Edhe mesfushori i Tiranës, Jetmir Sefa, thuajse e ka “çimentuar” vendin e tij në përfaqësuese, ashtu si Elis Bakaj e Gilman Lika (i transferuar te Boluspor në Turqi).
MUNGESAT
Kapiteni zyrtar i Shqipërisë, Altin Lala, edhe këtë radhë nuk e ka fatin të jetë nën urdhrat e Kuzhes, madje nuk ka qenë asnjëherë i grumbulluar qysh kur kroati ka marrë drejtimin e Kombëtares. Lala, aktualisht në rikuperim e sipër nga një dëmtim muskulor, nuk ishte as në grumbullimin kundër Portugalisë e Gjeorgjisë.
Në raport me listën e parë “ala Kuzhe” për ndeshjet kundër Portugalisë (zyrtare, humbëm 2-1 në Tiranë) dhe Gjeorgjisë (miqësore, barazuam 1-1 në “Qemal Stafa”, sulmi është reparti ku bien në sy edhe mungesat e mëdha: Edmond Kapllani (i transferuar këtë verë nga Karlsruhe te Augsburgu) dhe Besart Berisha (nga Bërnli në Angli te Arminia Bielefeld në Gjermani).
Edhe në prapavijë, mungesat kanë të bëjnë me emrat e Endri Vrapit (Dinamo) dhe Admir Telit (luan në Azerbajxhan me Karabak). Në mesfushë emri që bie në sy është ai kapiteni të Krivbasit në Ukrainë, Dorian Bylykbashi.
“QIPRIOTËT”
Trajneri Kuzhe nuk duhet të vuajë nga informacionet për nivelin e dhe veçoritë e futbollit qipriot, pasi të paktën është një “spiun” i dorës së parë, për t’ia siguruar atë në mënyre profesionale, Klodian Duro.
Në Qipro luajnë dy lojtarë të ekipit aktual Kombëtar shqiptar, portieri Arjan Beqaj (Anorthosis Famagusta, nuk është thirrur për këtë ndeshje për shkak se është në rikuperim e sipër) e mesfushori Klodian Duro (Apollon Limasol). Në ishull aktivizohen edhe dy ish-lojtarë të tjerë, Altin Haxhi (Apoel, kampioni në fuqi i Qipros) e Foto Strakosha (trajner portierësh te Apoel).
KUNDËRSHTARI
Qipro, ndaj së cilës do të përballemi për herë të katërt (të gjitha miqësore) ndodhet në vendin e 73-të (445 pikë) në renditjen e përgjithshme dhe në të 37-in në atë të UEFA-s.
Në takimin e fundit zyrtar të kualifikueseve të Kampionatit Botëror “Afrika e Jugut 2010”, Qipro barazoi në shtëpi 2-2 me Malin e Zi. Në gjashtë ndeshje zyrtare ka grumbulluar 5 pikë: 1 fitore, 2 barazime dhe 3 humbje (6 gola të shënuar, 9 të pësuar).
Qipro ka grumbulluar 5 pikë pas gjashtë ndeshjesh dhe renditet në vendin e 4-t në Grupin 8, ku bëjnë pjesë edhe Italia (14 pikë), Irlanda e Veriut (13), Bullgaria (8), Mali i Zi (4) dhe Gjeorgja (3).
Golashënuesi më i mirë për Qipron në këtë sezon kualifikues është Michael Konstantinu, 3 gola, 3 gola e tjerë mbajnë firmat e Mihail Krisostomos, Kristofi Dimitris dhe Aloneftis Efstathios (secili nga një gol).
STATISTIKA
Takimi i 12 gushtit do të jetë ndeshja e katër miqësore me ishullorët e “Afërditës”. Në tri të parat, kemi humbur dy (në Qipro) e barazuar një në Tiranë. Takimi i parë daton, më 19 gusht 1998, ku kemi humbur 3-2 në Nikosia, i dyti është luajtur në Tiranë, më 15 gusht 2000 (0-0), ndërsa i treti dhe i fundit, më 18 gusht 2004, ku kemi humbur 2-1 në Qipro. Shqipëria ka shënuar 3 gola dhe ka pësuar 5 të tilla.
Miqësore ndërkombtare
Shqipëri-Qipro
12.08.2009, ora 19:00
Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa”
Lista e futbollistëve
1. Isli HIDI FC Kryvbas Kryvyi Rih
2. Samir UJKANI FC Novara
3. Kristi VANGJELI Aris Selanik
4. Armend DALLKU Vorskla Poltava
5. Elvin BEQIRI KF Vllaznia
6. Andi LILA KF Tirana
7. Franc VELIU KF Flamurtari
8. Debatik CURRI Vorskla Poltava
9. Ervin BULKU FC Kryvbas Kryvyi Rih
10. Ervin SKELA Energie Cottbus
11. Gilman LIKA FC Boluspor
12. Lorik CANA FC Sunderland
13. Ansi AGOLLI FC Kryvbas Kryvyi Rih
14. Jetmir SEFA KF Tirana
15. Emiljano VILA Dinamo Zagreb
16. Klodian DURO Apollon Limassol
17. Jahmir HYKA FSV Mainz 05
18. Hamdi SALIHI SV Ried
19. Elis BAKAJ KF Dinamo
20. Erjon BOGDANI Chievo Verona
Trajner: Josip KUZHE
/Albania-Sport/