Tërhiqet Kryeministri Berisha

Postuar më 15 Gusht 2009 në kategoritë Shqipëri. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0 feed. You can leave a response, or trackback from your own site.

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka zgjedhur të flasë e jo të heshtë përballë debatit që u hap për ndërhyrjet e tij në skenën politike të Kosovës, në fillim të kësaj jave. Në një intervistë për Klan Kosova, të premten, Lideri i së Djathtës ka thënë se ai mban kontakte të mira me çdo forcë politike dhe se e çmon rolin e secilës në arritjen e madhe, pavarësinë e Kosovës. “Partia Demokratike ka pasur marrëdhënie tradicionale me Lidhjen Demokratike të Kosovës, sepse ato ishin dy forcat kryesore. Por, kjo nuk përbën asnjë lloj pengese për të ruajtur dhe zhvilluar marrëdhënie të shkëlqyera me Partinë Demokratike të Kosovës, me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe me të gjitha forcat tjera”, ka thënë Kryeministri i Shqipërisë.SaliBerisha_2

“Unë vlerësoj rolin e secilit prej tyre. Kanë kontribute të mëdha ata. Kanë kontribute në lartësimin e çështjes së Kosovës, kanë kontribute të mëdha në Ekipin e Unitetit, kanë kontribute të jashtëzakonshme në procesin për njohjen e pavarësisë së Kosovës”, ka shtuar Sali Berisha. Deklaratat e Kryeministrit të Shqipërisë vijnë pasi që në media u ngrit çështja e ndërhyrjes së tij në politikën e brendshme të Kosovës.

Pas një takimi që zhvilloi Berisha me drejtuesit e LDK’së, Kryesia e LDK’së kishte lëshuar një komunikatë për media ku thuhej se “Kryeministri Sali Berisha rikonfirmoi mbështetjen e tij të parezervë për zhvillimin e mëtejmë të LDK’së dhe interesimin e tij të thellë që LDK’ja, si parti lideriste e djathtë në Kosovë, t’i fitojë zgjedhjet e ardhshme lokale dhe parlamentare”. Kjo u interpretuar si anim i Kryeministrit shqiptar dhe një deklaratë që mund të kishte pasoja në bashkëpunimin e mëtejshëm mes dy qeverive.
Dhe këtë duket se nuk e dëshiron Sali Berisha.

“Raporti im me faktorin politik në Kosovë është i shkëlqyer. Unë kam raporte të mira, vëllazërore, si me koalicionin qeveritar, ashtu edhe me opozitën. Jam i bindur se ky rregull funksionon dhe duhet të funksionojë edhe për autoritet zyrtare dhe spektrin politik të Kosovës. Në të gjithë qëndrimet tona, gjykoj se ne nuk duhet të bëjmë dallime për sa i përket përkatësive partiake”, ka deklaruar Berisha, në intervistën dhënë televizionit Klan Kosova. Veçmas, ai është ndalur tek raportet e tij me Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçin.

“Marrëdhëniet e mia me z.Thaçi janë të shkëlqyera”, ka thënë Berisha. “Unë kam inauguruar tunelin me Kryeministrin e Kosovës dhe gëzimi ynë atë ditë ka qenë i papërshkrueshëm, pasi që ajo ditë përbënte një simbolikë të jashtëzakonshme për kombin”. Më pas, Kryeministri i Shqipërisë ka folur për projektet që kanë dy qeveritë.
Pas pavarësisë së Kosovës dhe hyrjes së Shqipërisë në NATO, Berisha thotë se projekti i dy qeverive është bashkimi i kombit, në kuptim të zhdukjes së kufijve dhe lehtësimit të bashkëpunimit mes bizneseve të të dyja vendeve.

“Ne do të punojmë, sapo të krijohet Qeveria e re, që t’i zhdukim të gjitha dallimet që i mundojnë qytetarët shqiptarë kur vijnë në Shqipëri apo kur të shkojnë në Kosovë. Në këtë kontekst, me z.Thaçi ne kemi një projekt dhe ky projekt është që t’i bëjmë shqiptarët të ndjejnë bashkimin në çdo gjë”, ka thënë Berisha.

Kryeministri i Shqipërisë këmbëngul se asgjë nuk mund ta prishë këtë projekt madhor të të dyja vendeve. “Kurrë rotacionet e pushtetit nuk mund të rrezikojnë këtë projekt në të cilin shqiptarët kanë shumë punë për të bërë. Mendoj se janë fare primitive interpretimet jashtë këtij konteksti”, ka thënë ai.


Një koment për “Tërhiqet Kryeministri Berisha”

  1. SaliPrill 29th, 2010 - 21:38

    tunggggggggg ku jeni bre Unnnnnnnn Debatoj qe as ni her nuk kam vjedhur ne qeveriiii prandaj unnnnnn do ti jap parat dhe te ja derzoj xhems hahahah tung nga Saliaaaaa

Komento