Postuar
më 6 Gusht 2009 në kategoritë Kosovë, Lajmi kryesorë, Politikë.
You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0 feed.
You can leave a response, or trackback from your own site.
Kosova ka kuptimin e vet vetëm si tërësi, si shtet unik, me integritet të paprekshëm territorial, dhe për këtë ka edhe përkrahjen e plotë të bashkësisë ndërkombëtare, ka thënë të mërkurën presidenti Fatmir Sejdiu, gjatë një takimi që pati me qytetarët e fshatrave Koshtovë, Cerajë dhe Bistricë të komunës së Leposaviçit.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të pjesëmarrësve të këtij takimi, presidenti Sejdiu – siç thuhet në një komunikatë të Presidencës – theksoi se Republika e Kosovës është shtet sovran dhe i pavarur dhe si e tillë, në kufijtë e saj, është njohur nga të gjitha vendet që e kanë pranuar shtetin tonë.
Sejdiu, po ashtu, tha se çdo ndërrim kufijsh në rajon do të ishte shumë i rrezikshëm, prandaj qëndrimi i institucioneve të Republikës së Kosovës është i pandryshueshëm: secili në shtëpinë e vet, secili në kufijtë e vet shtetërorë.
Ai i ka siguruar qytetarët e kësaj ane se do të angazhohej edhe më tej për përparimin e këtyre fshatrave, si dhe do t’i nxisë institucionet që të jenë shumë më të pranishme në këtë rajon të Republikës së Kosovës. Gjatë një bashkëbisedimi të hapur me banorët e kësaj pjese të vendit, presidenti Sejdiu ritheksoi se vizion i institucioneve tona është Kosova e qytetarëve të lirë dhe të barabartë, pavarësisht nga dallimet etnike.
Edhe nga këtu, presidenti Sejdiu, iu dërgoi mesazh qytetarëve serbë të Kosovës që të marrin pjesë në zgjedhjet e sivjetshme lokale, në mënyrë që – siç u shpreh ai – të kontribuojnë për të ardhmen më të mirë të tyre dhe të Kosovës. /Telegrafi/