Partia Fryma e Re kërkon proces të ri zgjedhor, me ligj të ri zgjedhor, me lista të pastruara të votuesve, me vëzhgues statikë vendorë dhe ndërkombëtarë dhe me kohë të mjaftueshme për institucionet që të përgatiten për zgjedhjet. Kjo është e vetmja mënyrë për të dalë nga kriza e krijuar për shkak të manipulimit të votës më 12 dhjetor. Çfarëdo opsioni që i legjitimon këto zgjedhje është i dëmshëm për Kosovën dhe do të ketë pasoja të mëdha në të ardhmen, thuhet në një deklartë të shpërndarë për media, nga Partia Fryma e Re.
Me tej në këtë deklaratë FER konkludon se është e një rëndësie të veçantë ndjekja penale e keqpërdoruesve të votës, të cilët sipas tyre tanimë vjedhjet e tyre kanë filluar t’i tregojnë si batuta. Vjedhja e votës, paraqitja e rrejshme, falsifikimi i dokumenteve zyrtare dhe blerja e votës janë vepra të rënda penale, të dënueshme me burg dhe të gjithë ata që janë përfshirë në vepra të tilla duhet të ballafaqohen me ligjin, vlerëson FER-i.
“Është për t’u çuditur kur deklarata e ushtruesit të detyrës së Presidentit Z. Jakup Krasniqi flet për dhunën e votës së qytetarit, ndërsa po në të njëjtën deklaratë flitet për formimin e koalicionit që duhet të dalë nga ky proces i dhunuar. Kosova në asnjë mënyrë nuk duhet që keqpërdorimet, manipulimet dhe vjedhjet t’i pranojë si diçka normale, gjoja me arsyetimin se ka pas manipulime në të gjitha vendet dhe nga të gjithë. Partia Fryma e Re edhe njëherë thekson se çfarëdo zgjidhje tjetër e cila nuk e dërgon vendin drejt zgjedhjeve të reja me ligj të ri zgjedhor dhe me përgatitje të mjaftueshme për t’u organizuar mirë do t’i ketë pasojat e veta për demokracinë në Kosovë, si dhe për shtetin e Kosovës në përgjithësi”, thuhet në deklaratë.
“Koalicionet e brishta, të dala nga vota e manipuluar nuk mund ta udhëheqin Kosovën në këtë fazë të rëndësishme, kur po cenohet edhe integriteti territorial i Kosovës, dhe kur po rrezikohet edhe siguria ekonomike e vendit. Në fakt, diskutimet për koalicione po bëhen vetëm për ta tërhequr vëmendjen e opinionit nga dështimi i procesit zgjedhor më 12 dhjetor”, vlerëson mes tjerash Partia Fryma e Re.