Prishtinë, 30 dhjetor – Lideri i dyfishtë institucional, Jakup Krasniqi e kishte ditur se me lajmin e Gjykatës Kushtetuese, Fatmir Sejdiu do të jepte dorëheqje dhe se do të krijohej një situatë jo e favorshme. Por, një e vërtetë tjetër, sipas tij, është se ai nuk kishte pasur dëshirë që të bëhej president, sidomos në rrethanat e krijuara sot. “Dikush mund të ketë menduar se unë e kam marrë pozitën e presidentit me dëshirë…E vërteta është se nuk më ka ardhur mirë, sepse e kam ditur se do të krijohej një moment jo i favorshëm. Dhe, nuk gabova”, ka thënë Krasniqi në një intervistë për Koha Ditore.
Thotë se ka pasur parandjenja se dorëheqja e Fatmir Sejdiut do të sillte pasoja për tërë vendin. Dhe doli se nuk e kishte pasur gabim. Krasniqi shpjegon se përgjegjësia institucionale ia ka “cenuar lirinë” për të qenë afër familjes, miqve, shokëve e dashamirëve. E konsideron veten si njeri të gjerë për nga natyra, por nuk e fsheh që sivjet është ndier keq që nuk i është dhënë mundësia për ta kryer një akt simbolik. Ndezjen e “Bredhit të Pavarësisë”, i cili ndriçon jo më larg se100 metra nga zyrat e tij. Viteve të mëparshme dritat e këtij bredhi ishin lëshuar nga duart e presidentëve, Ibrahim Rugova dhe Fatmir Sejdiu. Të dy nga LDK-ja. E në Krishtlindjet e fundit kryebashkiaku i Prishtinës, Isa Mustafa, vendosi që butonin ta shtypte vetë.
Pas një pune të pandërprerë në aspektin e krijimtarisë profesionale në lëmin e historisë, Krasniqi ka vendosur që këtë vit t’i japë vetes pak pushim. Megjithatë paralajmëron se risi do të ketë.