Shpallja e kërkesës për parakualifikim për Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës nuk është bërë më
3 gusht, për shkak të mungesës së bazës ligjore. Mrika Tahiri, këshilltarja për marrëdhënie me publikun në Partneritet Kosova, ka thënë se në vazhdimësi të implementimit të Partneritetit Publiko-Privat në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, më 10 gusht 2009 do të shpallet Kërkesa për Kualifikim.
“Në mbështetje të nenit 80.6 të Kushtetutës së Kosovës, ligji hyn në fuqi 15 ditë pas publikimit të ligjit në Gazetën Zyrtare, rrjedhimisht 10 gushti 2009 është dita e parë e mundshme për shpalljen e Kërkesës për Kualifikim (KfK) për PPP ANP”, ka thënë ajo për “Kosova Sot”. Ajo tha se në bazë të neneve 22-26 të ligjit mbi PPP dhe Koncesione nr. 03/L-090 , KfK është hapi i parë i procedurës së prokurimit 2 fazëshe për PPP ANP.
“Qëllimi i kësaj kërkese është që të bëhet para-përzgjidhen e operatorëve ekonomikë apo konzorciumeve të cilët demonstrojnë kapacitetet ligjore, teknike dhe financiare për të marr pjesë në fazën e dytë, në procedurën konkurruese të tenderimit për operimin dhe zgjerimin e ANP-së”, tha Tahiri. Pastaj, sipas saj, në pajtim me dokumentacionin e Kërkesës për Propozim, të gjithë operatorët e kualifikuar do të ftohen për të dorëzuar propozimet e tyre. /KosovaSot/